Partitë opozitare kanë vlerësuar planin franko-gjerman si një bazë të mirë për të ecur përpara në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Por kanë kërkuar nga Qeveria që ta shfrytëzojë momentumin, e njëkohësisht ta sjellë në Kuvend për diskutim qëndrimin për këtë plan.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar që koordinimi i ShBA-së dhe i BE-së për të dërguar në një nivel të ri dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të merret seriozisht.
“Kryeministri Kurti, por edhe presidentja Osmani duhet ta marrin seriozisht këtë situatë dhe të shprehin kërkesën dhe angazhimin e tyre për ta diskutuar planin franko-gjerman, por për ta pranuar si të tillë tash dhe e mira është që nuk është një kërkesë merre ose le, por që të shprehin gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar dhe negociuar për tekstin i cili duhet të rezultojë tekst final me përfshirje të sa më shumë aspiratave shtetërore të Kosovës, sepse e rëndësishme është marrëveshja finale e cila duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë”, tha Krasniqi.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga ekzekutivi që të sjellë në Kuvend debatin formal për dialogun, duke e kritikuar atë për jotransaprencë.
Ai ka thënë se asnjëherë Kosova nuk ka pasur opozitë më mbështetëse për dialogun sesa tani.
“Nëse Qeveria vlerëson se ky propozim është bazë e mirë për të lëvizur më lehtë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe njohjes reciproke, do të duhej të informohej Kuvendi dhe publiku në mënyrë që të sigurohej konsensusi politik dhe shoqëror. Për më tepër, informimi i Kuvendit nuk është në diskrecion të Qeverisë, por është obligim kushtetues i Qeverisë ndaj Kuvendit pavarësisht se çfarë mendon Qeveria për këtë propozim”.
Edhe pse plani franko-gjerman është refuzuar nga Serbia, sipas njohësve të procesit të dialogut, ai është ende aktiv dhe në diskutim nga palët.
“Plani franko-gjerman është ende aktiv dhe në tryezë të palëve. Është bërë mirë që Kosova nuk nxitoi për të kthyer përgjigje në publik, por i ka deponuar mendimet e saj tek Gjermania dhe Franca. Ende nuk e dimë se çka përmban ai plan, por me aq sa kemi kuptuar përmes mediave dhe burimeve të ndryshme, për këtë fazën që jemi tani mund të vlerësohet si një opsion real për të kaluar një problem që e kemi në vazhdim e sipër, duke pasur parasysh edhe rrethanat gjeopolitike për shkak të luftës në Ukrainë”, u shpreh Gazmir Raci, njohës i procesit të dialogut.
Por, sipas profesorit të shkencave politike, Dritëro Arifi, shkaku i vendimit të Qeverisë për targat dhe braktisja e institucioneve nga serbët, propozimi është venë në plan të dytë.
“Nëse pala kosovare ka pranuar planin, por në të njëjtën kohë ka marrë këtë vendim (për targa), diçka nuk po përputhet në këtë mesë. Nëse ne kemi pranuar planin, ne jemi pala fituese, por pala fituese nuk bën probleme për me zbeh problemin…Plani nuk bie, por tashmë pala serbe ka kushte, Serbia thotë se njëherë duhet të plotësohen kushtet, sepse gjendja në terren është e rrezikshme dhe t’i nuk mund të flasësh për planin derisa nuk e zgjidh çështjen në terren”, tha Arifi.
Krerët institucionalë në Kosovë janë shprehur në favor të planit franko-gjerman për dialogun, por pala serbe është shprehur kundër tij.


