Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, iu ka kundërpërgjigjur opozitës në Kuvend lidhur me gjendjen në veri.
Haxhiu ka thënë deklaratat e PDK-së dhe LDK-së se nuk ka prokurorë e gjyqtarë në veri janë keqinformim.
Ajo ka sfiduar Abelard Tahirin e PDK-së që të japë dorëheqje nëse në veri vërtetë nuk ka prokurorë e gjyqtarë, siç ka thënë ai.
“Me dalë shefi i GP të PDK dhe LDK dhe të thotë që nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë në veri shumë pak është me thënë se ka keqinformim. Po i inkurajoni dhunuesit se një dhunues kur të dëgjon shefin e grupit parlamentar të PDK-së e LDK-së që thotë se nuk ka prokurorë e gjyqtarë në veri ai kryen vepra penale pa problem se e di që nuk e ndjek ligji. I nderuar z. Tahiri a je në gjendje me dhanë dorëheqje nëse në veri ka prokurorë e gjyqtarë. Jam e gatshme me ty e Arbenin me shku në prokurori e gjykatë edhe me pa a po punohet aty janë prokurorët dhe gjyqtarët prandaj mos shpifni. Nuk po bëjmë asgjë më shumë vetëm po e mbrojmë vendin tonë”.
Haxhiu ka theksual se Kosova për herë të parë ka pozicion të dinjitetshëm karshi Serbisë. Ka ftuar opozitën që të qëndroj krah Qeverisë në pozicionin kundër Serbisë.
“Për herë të parë Kosova ka pozicion të dinjitetshëm në raport me Serbinë, diçka që nuk e kemi parë më parë. Për herë të parë tre krerët e institucioneve janë në linjë të njëjtë dhe këtu do të dëshiroja të bashkohej edhe opozita. Sepse nuk do të dëshiroja dallime në qëndrimet përballë Serbisë. Sa herë ka pasur kërkesë nga Beogradi e Vuçiqi asnjëherë nuk iu keni thënë jo, gjithmonë ju keni thënë po. Po të kishit vullnet t’i thoshit jo marrëveshjeve, sot nuk do të përballeshim me këtë situatë. Sot ne po i ndiejmë pasojat e më pas fusnota e të tjera”.
Ndërsa Tahiri e ka quajtur Haxhiun “ministre e sanksionuar nga SHBA-ja”.