Për veprimet e fundit ne veri, deputetët e partive opozitare si nga LDK, PDK e AAK janë shprehur të shqetësuar, ndërsa në një formë kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe jo Serbinë, duke përdorë edhe këtë radhë sikur në Qeverinë Kurti 1, kartën e bashkëpunimit me Amerikën.
Është deputeti i LDK-së, Arben Gashi, që ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin për menaxhimin e situatën me targat dhe gjendjen në veri të vendit.
Ai ka thënë se Kurti po nxitet nga egoja, ndërsa shtoi se LDK-ja qëndron fuqishëm në ruajtje të partneritetit me ShBA-në.
“Vendi po kalon një fazë delikate dhe mungesa e përgjegjësisë po shkakton zhurma. Kryeministri i Kosovës me veprimet e tij ka shkaktuar problemin. Sot në veri kemi më pak shtet të Republikës sepse kryeministri i nxitur nga egoja e rrezikoi institucionin. Ne sot nga këtu deklarojmë se ne qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të tërësisë territoriale, në zbatim të ligjit dhe ruajtje të partneriteti me SHBA. Kryeministri i nxitur nga egoja po rrezikon partneritetin. Ne jo shumë larg ishim në Qeveri bashkë me të kur rrezikoi partneritetin por meqë ishim pjesë e qeverisë dhe përgjegjës morëm veprimet tona. Ne po angazhohemi maksimalisht që të japim ndihmën tonë institucioneve të vendit dhe të mos e rrezikojmë partneritetin ndërkombëtar”.
Gashi ka deklaruar se me veprimet e Kurtit, sot ka më pak shtet, se nuk ka gjyqtarë, policë e zyrtarë të tjerë në veri.
“Kërkesa e ShBA-së ka qenë kërkesë që kryeministri është dashur ta marrë parasysh e kuptoj që shteti duhet të funksionojë në çdo cep por me këtë veprim të kryeministrit sot kemi më pak shtet. Sot nuk ka gjyqtarë, policë kryetarë të komunave asamblistë në veri të Kosovës. E kuptoj frustrimin e ministres por nuk e kuptoj gjuhën e ministres dhe fjalët që po i përdorë nga mbrapa. Kryesuesja do të duhej t’ia tërhiqte vërejtjën dhe ta largonte por nuk po e bën, por dijeni që luftën tonë për shtet nuk mund të na e ndalni as me gjuhën që e përdorni”, ka thënë Gashi.


