Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka proceduar kërkesën për zëvendësim të dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.
Kjo vjen pasi sot ata i dorëzuan në Kuvend mandatet e deputetëve.
Në një deklaratë për media pas mbledhjes së Kryesisë, kryekuvendari, Galuk Konjufuca, tha se deputetët e Listës Serbe, të cilët e kanë dorëzuar dorëheqjen, do të zëvendësohen, ashtu siç edhe parashikon ligji.
“Kanë ardhur shkresat e dorëheqjes së Listës Serbe, e në ketë situatë s’kemi ndryshe si të veprojmë, pos siç e thotë ligji, e në ketë rast ligji është i qartë. Karakteri i dorëheqjes së tyre është i parevokueshëm, kështu që do të procedojmë sipas ligjit, e ligji thotë që ata të zëvendësohen”, deklaroi kryeparlamentari kosovar.
Konjufca tha se për dorëheqjen nga legjislativi të deputetëve nga Lista Serbe, do t’i drejtohet Presidentes e ajo, pastaj, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të parë se si do të procedohet më tej.
Ndryshe, sipas KQZ-së, ligjvënësit e dorëhequr zëvendësohen me ata që janë në listën e pritjes nga lista zgjedhore.
E nëse edhe ata që janë në listë të pritjes për deputetë refuzojnë, atëherë, siç tha Konjufca, do të përsëritet ky proces deri në plotësimin e vendeve në Kuvend.
“Unë mendoj se me këtë ngjarje nuk ka ndodhur kurrfarë rrezikimi i rendit kushtetues të Kosovës”, deklaroi kryeparlamentari Glauk Konjufca./KosovaNews/