Zyrtarët serbë në veri të Kosovës si dje edhe sot kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe dhe kthimin e tyre në RKS.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë këto ditë u ka bërë thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, dobësojnë shërbimet për qytetarët.
Sipas Kurtit, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti është shprehur se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.
E për veprimet e fundit ne veri, krerët e partive opozitare si nga LDK, PDK e AAK janë shprehur të shqetësuar, ndërsa në një formë kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe jo Serbinë, duke përdorë edhe këtë radhë sikur në Qeverinë Kurti 1, kartën e bashkëpunimit me Amerikën.
Madje sot për situatës në veri, i ka dalë rendi dhe ka reaguar edhe ish- ministri i Punëve të Brendshme dhe deputeti aktual nga radhët LDK-së, Agim Veliu.
Ai në një prononcim për FrontOnline tha se veprimet e kryeministrit Kurti janë të pa matura dhe jo në interes të vendit.
Sipas tij, për çdo situatë të vendit do të duhej të koordinohet me SHBA-të.
“Veprimet e Kurti nuk janë as të duhurat e as të mençura. Janë të pakoordinuara edhe me faktorin e brendshëm edhe ndërkombëtarë veprime që Kosovën e kanë kthyer shumë mbrapa dhe të pa matura dhe jo në interes të vendit. Do të duhej të veprohej në koordinim me SHBA-në gjithmonë”, tha Veliu.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e Listës Serbe do të krijohet vakum kushtetues.
Sipas tij, në këtë situatë zgjedhjet e përgjithshme do të mund të ishin zgjidhja.
“Dorëzimi i mandateve nga Lista Serbe është shumë problem, pasi KQZ-ja duhet të trajtojë persona të tjerë që janë në lista e ata nuk do të pranojnë të marrin mandate, do të vijmë në një situatë kur Kuvendi nuk do të ketë 120 deputetë, do të kemi vakum kushtetues … Ajo që po shohim është se çështja është ndërlikuar shumë dhe ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje”, ka theksuar Tahini, në deklarimin pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai ka thënë se situata në veri duhet të trajtohet më seriozisht.
“Në Kryesi të Kuvendit e kam ngritur çështjen e Zhvillimeve në veri të Kosovës, e kam ngritur pasi që është e nevojshme që si grupe parlamentare, si Kryesi, ta trajtojë këtë çështje seriozisht. Tema është shumë më serioze sesa që po trajtohet, po mini9mizohet, po del çështje teknike, targat si një vendim teknik po na kthehet në problem të sigurisë”, është shprehur Tahiri.
Ndërkohë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk do të donte të mendonte që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mund ta dërgonte Kosovën në zgjedhje të përgjithshme.
Në deklaratën e tij pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca ka theksuar se beson që në këtë e ka edhe mbështetjen e gjithë spektrit politik në vend.
“Nuk kisha pas dëshirë me mëndu që Aleksandar Vuçiq mund ta dërgojë në zgjedhje Republikën e Kosovës, kur të dojë. Këtu te jemi të qartë, nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë dhe i Vuçiqit që të shkaktojë zgjedhje në Kosovë, apo ndonjë lloj destabilizimi, apo zgjedhjet si rezultat i destabilizimit edhe i sfidimit të situatës së sigurisë në Kosovës, atëherë mendoj që kjo jo vetëm që nuk është e mundshme por besoj që edhe i gjithë spektri politik është i bashkuar në Kosovës, që kjo është e palejueshme dhe e patolerueshme”, ka thënë Konjufca.
Pse u ngritën tensione dhe serbët po largohen nga institucionet e Kosovës?
Lista Serbe bëri të ditur më 5 nëntor se zyrtarët serbë në Kuvend, Qeveri, pushteti lokal, Polici, Gjykatë dhe institucione të tjera në veri të Kosovës do të largohen, derisa Qeveria në Prishtinë të tërhiqet nga plani i saj për targat RKS.
Paralajmërimet e kësaj partie për largim nga institucionet u bënë pasi autoritetet në Kosovë suspenduan nga puna drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili deklaroi se nuk do të zbatonte vendimin e Qeverisë për targat.
Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe./KosovaNews/


