Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj me anë të një postimi në Facebook ka bërë me dije se ka zhvilluar një komunikim telefonik me homologen e tij kosovare, presidenten Vjosa Osmani.
Begaj tha se gjatë bisedës me Osmanin është informuar mbi situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe kryesisht kanë folur për dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.
“I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO.Mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Begaj.


