Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e kanë dënuar sulmi fizik që ndodhi ndaj të moshuarës, në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Ata kanë kërkuar që për këtë rast të merren të gjitha masat e nevojshme dhe janë shprehur të gatshëm që të monitorojnë të gjitha qendrat e kujdesit për të moshuar në vend.
Kryetarja e Komisionit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, në mbledhjen që është mbajtur të enjten, ka thënë se ka qenë e vështirë që të shihej se si po keqtrajtohej e moshuara.
Ajo ka vlerësuar se duhet të rishikohen të gjitha licencat e punonjësve shëndetësorë. Mulhaxha – Kollçaku ka thënë se shteti ka shumë punë sa i përket edukimit. Ajo ka kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë.
“Shpreh shqetësimin për ngjarjen çfarë e pamë, një akt të dhunës në një institucion të të moshuarve. Një nënë e dëshmorit ishte shumë e vështirë ta shohim. Ne kemi filluar vizita në Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë dhe do të vazhdojmë me këto vizita … është detyra jonë të vazhdojmë vizitat. Këtu të gjitha licencat që janë lëshuar duhet të rishikohen. Besoj që ne me përkushtim duhet të kërkojmë që kjo dhunë të ndëshkohet”, ka thënë ajo.
Aëntari i Komisionit nga radhët e LDK-së, deputeti Armend Zemaj, ka thënë se rastet e dhunës janë të papranueshme dhe bëri thirrje për monitorim të vazhdueshëm.
“Raste të dhunë janë të papranueshme dhe të trajtohen si problematikë e jo të izoluara dhe të kenë trajtim me prioritet … Është thirrje për institucionet që janë në hierarkinë e monitorimit”, është shprehur që nuk kemi pasur qasje proaktive”, ka theksuar Zemaj.
Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, rastin në Pejë e ka quajtur akt makabër. Edha ai ka kërkuar që të rritet inspektimi i këtyre qendrave.
“Edhe unë i bashkohem aktit makabër në Pejë. Kjo nuk është pasqyra e kulturës tonë. Por është një akt që kërkon dënim maksimal dhe të rritet inspektimi i institucioneve shëndetësore që të mos ndodhin këto raste”, ka deklaruara Avdyli.
Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, deputeti Bekim Haxhiu, ka thënë se këto raste duhet të ndëshkohen dhe monitorohen nga Komisioni.
“Është një rast i rëndë edhe i dhunës, por edhe abuzimit profesional e institucional. Përveç deklarimeve tona mendoj që do një ndëshkim dhe llogaridhënie e përgjegjësi ndaj atyre që kanë keqpërdorë besimin profesional”, është shprehur Haxhiu.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar ndëshkimin e infermieres, me qëllim që raste e tilla të mos përsëriten.
“Këto raste nuk guxojnë të kalojnë pa u ndëshkuar dhe monitoruar nga ky Komision. Komisioni duhet të filloj proces monitorimi të gjitha qendrave sociale të shtëpive të pleqve dhe të përcaktohen si qendra sociale e shëndetësore”, është shprehur Dreshaj.


