Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka shprehur sërish ankesa, teksa ka thënë se janë të brengosur lidhur me atë se nuk e dinë ende vlerën e koeficientit të pagës.
Sipas tij, koeficineti mund të caktohet “sipas tekeve” të ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Brengë e jona është dhe dyshojmë se është një mashtrim i radhës, kur nuk përcaktohet qartë vlera e koeficientit, ngase mund të kemi koeficiente në dukje tepër të mëdha, të lartë por kur vlera nuk dihet a po bëhet sipas tekes së ministrit Murati, mund të ketë një zhgënjim të ardhshëm”, është shprehur Jasharaj, pas takimit që ka zhvilluar me disa deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Jasharaj ka thënë se zyrtarët qeveritar asnjëherë nuk kanë guxuar ta thonë vlerën e koeficientit.
“Numrat abstrakt neve nuk na gëzojnë sepse ne duam t’i themi anëtarësisë tonë se me ligjin që po bëhet paga jote në këtë detyrë është kaq”, është shprehur Jasharaj.
Ai ka kërkuar ndihmën e deputetëve të Kosovës, në këtë rast atyre nga AAK-ja e Ramush Haradinajt, që të jenë zë i vazhdueshëm i sindikatave, pasi që sipas tij, ka një tendencë që “zëri i sindikatave të shtypet”.
Ai ka theksuar se shpreson që janari të ju sjell ligjin e pagave, por sipas tij kjo është një dëshirë e parealizuar.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se është brengosëse që ligji i pagave nuk është përfshirë në buxhetin e vitit 2023.
“Ligji i pagave e ka emrin ligji i pagave, nëse nuk është i buxhetuar, nëse ky ligj nuk e ka të përcaktuar koeficientin, ky nuk është ligj i pagave, ky është ligj i hierarkisë protokollare të detyrave, të njerëzve që janë në administratë të shëtit, kjo nuk na duhet”, ka deklaruar Tahiri.
Qeveria së fundmi ka hartuar Projektligjin për paga dhe i njëjti doli për disa javë në procedura të konsultimeve publike, ku edhe mori sugjerime nga institucione e grupe të ndryshme të punonjësve.
Ligji më pas duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare. Tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, ky legjislacion pritet të hyjë në fuqi./KosovaNews/



