Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka takuar parlamentarët gjermanë Marcus Faver dhe Lars Lindemann, njëkohësisht edhe anëtarë të Komitetit për Mbrojtje, me të cilët ka diskutuar rreth situatës aktuale gjeopolitike, rolin e FSK-së në këtë mes, ndihmën për Ukrainën, dhe rëndësisë së ruajtjes së stabilitetit në vend.
Në takimin ku pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, Mehaj ka thënë se Gjermania është shtet mik dhe bashkëpunimi është pjesë e pandashme e rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE.
“Në këtë takim i informova parlamentarët gjermanë lidhur me angazhimin në avancimin dhe ngritjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, sipas standardeve të vendeve të NATO-s, procesin e realizimit të Planit dhjetëvjeçar të Tranzicionit të FSK-së, të arriturat e deritanishme në aspektin e reformës legjislative, dokumenteve strategjike, politikave integruese rajonale dhe euroatlantike, si dhe lidhur me operacionet paqeruajtëse dhe ato humanitare”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Po ashtu, u diskutuan mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në mes të dy vendeve, në funksion të interesave të partneritetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe mundësinë e shkëmbimit të përvojave të përbashkëta në mes të ministrive dhe forcave të dy vendeve, me qëllimin kryesor ruajtjen e paqes në vend, rajon dhe më gjerë.


