Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosjes, kanë parashtruar ankesë ndaj vendimit refuzues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj projektit të iniciuar për ndërtimin e objektit afaristo-ndërtimor në lagjen “Lakrishte” nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) dhe kompanitë tjera.
Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje më 8 gusht 2022 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishin dorëzuar padi për anulimin e kontratës lidhur me projektin e ndërtimit të objektit afarist-ndërtimor në lagjen “Lakrishte”, dhe po ashtu ka kërkuar edhe vendosjen e masës së sigurisë.
Përmes një konference për medie, Egzon Azemi nga LVV, njoftoi se po e dorëzojnë në Gjykatën e Apelit, ankesën lidhur me refuzimin që Themelorja i ka bërë kërkesës për caktimin e masës së sigurisë ndaj projektit të NPB-së.
Sipas ankesës, ata pretendojnë se Gjykata Themelore në Prishtinë me marrjen e vendimit refuzues të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, nuk ka bërë interpretimin e saktë të kontestit faktik dhe të normave ligjore.
Përmes kësaj ankese, kërkohet nga Gjykata e Apelit që të njëjtën ta aprovojë si të bazuar dhe të prishë aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe çështjen ta kthejë në rivendosje apo aktvendimin ta ndryshojë dhe propozimin e propozuesit ta miratojë në tërësi si të themeltë.
Ndryshe, sipas aktvendimit të 21 tetorit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimin e palës paditëse, për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas këtij vendimi, pas analizimit të gjithave provave që gjenden ne shkresat e lëndës si dhe theksimeve të palëve ndërgjyqëse në seancën dëgjimore, gjykata ka ardhur në përfundim se propozimi i palës paditëse është i pabazuar.
“Propozuesi nuk i ka prezantuar gjykatës ndonjë provë që do të argumentonte ndërlidhjen e ndonjë të drejte subjektive të tyre me pronën në kontest, duke përfshirë ndonjë punë juridike apo fakte të tilla, që mbi bazë të cilave do të bënin cenimin e ndonjë të drejte”, thuhet në vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar nga anëtarët e Kuvendit Komunal Gëzim Sveçla, Arbër Vokrri, Besart Krasniqi, Violeta Emini, Rashit Gashi, Besnik Mujeci, Arianit Beqiri, Berat Lahu, Triera Kasumi-Berisha, Arbnora Berisha, Feim Osmani, Berna Saraçi, Petrit Reçica, Mirsad Vitia, Rita Zeqiri, Nora Kelmendi dhe Ermal Osmani, thuhet se i padituri i parë NPB ka publikuar në ëeb-faqen e tij shprehjen e interest në bazë të vendimit dhe përmes këtij vendimi ftoheshin të gjitha subjektet e interesuara që të bëheshin pjesë e procedurës së përzgjedhjes për bashkë-investim potencial në ndërtim të përbashkët.
Në padi thuhet se, në këtë shpallje të interesit nuk ishin publikuar kriteret e përshtatshmërisë të cilat duhej plotësuar dhe se ishte publikuar një thirrje interesi për ofertë me afat prej 3 ditësh, ku subjektet e interesuara pa i pasur të njohura asnjë prej termave të referencës kishin aplikuar për t’u përzgjedhur dhe se kishin pasur afat deri më 17 mars 2021 për t’u pajisur me dosje të ofertës, dosje që nuk ishte publikuar në web-faqe.


