Shumica e deputetëve të Kuvendit, më saktësisht 63 prej tyre kanë votuar sot për caktimin e çmimit tavan të produkteve themelore, ndërsa asnjë nuk ka qenë kundër dhe nuk ka abstenuar.
Projektligji në fjalë është votuar në lexim të parë, ndërsa pas fuqizimit masat e përkohshme do të aktivizohen për produkte themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Po ashtu është miratuar edhe mocioni që ky projektligj t’u shmanget afateve që parashihen me rregullore. Rekomandimi i Komisionit duhet t’i paraqitet Kuvendit deri më 7 nëntor.
Gjatë shqyrtimit që është bërë nga deputetët nga opozita kanë shprehur kritika ndaj Projektligjit duke e kualifikuar atë si anti-kushtetues dhe në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë.
Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka theksuar se ky Projektligj është hartuar për shkak të rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë, duke shtuar se do të aplikohet në raste të veçanta, kur vërehet se ka destabilizim në treg.
“Duke marrë parasysh situatën aktuale të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të produkteve bazë, si dhe ankesave të shumta të qytetarëve për rritjen e menjëhershme të çmimeve tek të gjitha produktet bazë, Ministria e Tregtisë dhe Qeveria ka hartuar ligjin i cili do të aplikohet në rastet e destabilizimit në treg”, ka thënë Hajdari.
Produktet për të cilat synohet vendosja e çmimit tavan
Lëndët e drurit për djegie, buka dhe vaji ushqimor janë disa nga produktet që pritet të vendoset çmimi tavan.
Përveç këtyre produkteve, në këtë listë do të përfshihen drithërat, mielli i grurit, orizi, pastat, qumështi, kripa e kuzhinës, sheqeri kristalor, vezët e pulës, mishi i pulës dhe produktet higjienike.
Po ashtu, në këtë listë do të përfshihen edhe produktet e tjera themelore të konsumit për jetesë, të përcaktuara me vendim të Qeverisë së Kosovës./KosovaNews/


