Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, do të mbajë nesër konferencë për media.
Siç njoftohet në komunikatën për media ai në konferencë do të flasë për Projektligjin për Paga dhe për Projektligjin për Zyrtarët Publik.
Konferenca do të fillojë në orën 12:00.
Ministria e Punëve të Brendshme ditë më parë e ka hedhur projektligjin për paga në konsultime publike, qëllimi i të cilit është përcaktimi dhe rregullimi i sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës për pozitën (nga 1 – 18 sipas projektligjit aktual) me vlerën monetare të koeficientit.
Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.
Me projektligjin për pagat e shërbyesve civilë, koeficienti më i lartë, 18, i takon vetëm presidentit të Kosovës.
Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.
Nga ajo që është thënë deri tani rritje të pagave do të ketë për mjekët specialistë, mësimdhënësit dhe policët.
Për mjekët specialistë, projektligji për paga ka vendosur koeficientin 12, ndërkaq, për mësimdhënës në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, koeficienti është 5.6.
Sipas projektligjit, mësimdhënësit në shkollën e mesme të lartë, do ta kenë koeficientin 5.8.
Me projektligjin e ri për pagat, koeficienti për policët është 4.4. Policët do të kenë edhe shtesa .
Projektligji duhet të kalojë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ky projektligj hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta./KosovaNews/