Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar të hënën vendimin e bërë publik nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, për organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë.
Rama e ka quajtur këtë ngjarje si më të madhen ndërkombëtare në historinë e kryeqytetit të Shqipërisë.
“Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderët e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri evropian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës”, shkroi Rama në Facebook.
Ai e ka cilësuar këtë organizim si përpjekje për afirmim se Shqipëria është anëtare dinjitoze e bashkësisë ndërkombëtare.
“Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare”, shkroi tutje Rama.


