I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Ballkani është i një rëndësie jetike për të ardhmen e Evropës.
Emisari amerikan tha se qeveritë e vendeve ballkanike duhet të mësojnë të merren me median e lirë, e cila është kruciale për suksesin e rajonit si pjesë e Evropës dhe komunitetit transatlantik.
Kështu citohet të këtë thënë Escobar në një njoftim që ka lëshuar Ambasada Amerikane në llogarinë e saj zyrtare në Tëitter.
“Mundësitë këtu janë të mëdha, por sfidat janë të vazhdueshme. Qeveritë e vendeve të Ballkanit duhet të mësojnë të merren me median e lirë, e cila është kruciale për suksesin e rajonit si pjesë e Evropës dhe komunitetit transatlantik”, tha ai.
Eskobar: Balkan je od vitalnog značaja za budućnost Evrope. Mogućnosti su ovde velike ali su izazovi konstantni. Vlade balkanskih država moraju naučiti da se nose sa slobodnim medijima, što je ključno za uspeh regiona kao dela Evrope i transatlantske zajednice. pic.twitter.com/WcwTPaI2Ov
— Američka ambasada (@USEmbassySerbia) October 20, 2022
Më 19 tetor, Escobar vizitoi Prishtinën, ku përsëriti mbështetjen amerikane për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike.
Vizita e Escobarit në Kosovë vjen në kohën kur është raportuar se liderëve të Kosovës dhe Serbisë u është paraqitur një propozim nga Franca dhe Gjermania, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis dy shteteve për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Escobar vizitoi Prishtinën dhe Beogradin teksa më pak se dy javë kanë mbetur për serbët në Kosovë që të riregjistrojnë makinat e tyre nga targat e lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës.
Këto janë kryesisht targa KM (Mitrovicë e Kosovës), që konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë. Makina me targa të tilla kryesisht qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës.
Makinat e targa të lëshuara nga Serbia janë larguar nga përdorimi dhjetë vjet më parë në zonat ku jetojnë serbët në jug të Kosovës.
Më 31 korrik, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, Kosova shtyu për një muaj zbatimin e vendimit për riregjistrimin e targave të makinave, pasi serbët lokalë, në shenjë pakënaqësie ngritën barrikada në veri.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk do të zgjatet afati për riregjistrim – që skadon më 31 tetor – dhe se nga 1 nëntori, makinat me targa serbe nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë.


