Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar takimet me ambasadorë të vendeve të ndryshme të BE-së, të akredituar në Kosovë, me të cilët ka diskutuar lidhur me liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, raporton KosovaNews.
E para e vendit sot takoi ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë.
Në takim me ambasadorët, presidentja Osmani falënderoi Kroacinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Hungarinë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, përfshirë takimin e fundit të grupit teknik punues të Këshillit Evropian.
Në një njoftim për media të lëshuar nga Presidenca, thuhet se Osmani ka theksuar se është më rëndësi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, në procesin e liberalizimit të vizave deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani citohet të ketë thënë se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet heqjen e vizave, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.
Sipas presidentes Osmani, vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente, ndaj liberalizimi i vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.
Në të njëjtën linjë, presidentja Osmani kërkoi vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës edhe në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës, në të cilin mund të mbrohen, promovohen dhe avancohen të drejtat dhe liritë e njeriut.



