Ministri Murati: Janë ekzekutuar pensionet dhe shtesat prej 100 euro për 233 mijë persona në Kosovë
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se tashmë janë bërë pagesat e pensioneve në Kosovë, ndërsa së bashku me to janë ekzekutuar edhe shtesat prej 100 euro për gjithsej 233 mijë pensionmarrës që janë kualifikuar.
Ministria e Financave ka njoftuar një ditë më parë që pensionet pritej të dilnin të hënën, por janë shtyrë për një ditë për shkak të shtesave prej 100 eurosh, sipas vendimit të Qeverisë në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin.
“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sot është bërë edhe pagesa e pensioneve bashkë me shtesën e njëhershme prej 100 euro për muajin tetor, nga e cila kanë përfituar 233 mijë pensionmarrës që janë kualifikuar. Kjo përbën shtesën e tretë brenda 12 muajve të fundit që si qeveri kemi bërë për të mbështetur pensionmarrësit – në nëntor të vitit të kaluar, në prill të këtij viti, dhe tani, në tetor”, ka thënë Murati.
Ai tha se 300 euro më shumë për secilin pensionmarrës brenda një viti, nënkupton: 25% më shumë mbi pensionin bazik, 9.4%-13.7% më shumë mbi pensionin kontributpagues, dhe 6%-25% për kategoritë tjera të pensioneve.
“Për një shtet për të gjithë!”, ka thënë ministri Murati në këtë rast.
Në kuadër të pakos për përballje me inflacionin, që kap shumën 150 milionë eurosh, Qeveria e Kosovës muajin e kaluar ka mbështetur me dyfishim të vlerës se asistencës sociale familjet që marrin këtë ndihmë.
Po ashtu, nga 50 euro shtesë kanë marrë punëtorët e sektorit publik dhe nga 100 euro kanë marrë punëtorët e ndërmarrjeve publike.
Ndërkaq pasi sot shtesat prej 100 eurosh u ekzekutuan për pensionistët. Po këtë shumë, në muajin nëntor do ta marrin edhe studentët./KosovaNews/