Për të enjten u caktua të mbahet seanca e re parlamentare e Kuvendit me dy pika të rendit të ditës. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi se seanca do të nisë në orën 10:00.
Pika e parë do të jetë shqyrtimi i projektligjit për mbështetjen e punëve publike, ndërsa e dyta projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore, në raste të veçanta të destabilizimit të tregut.
Kusari-Lila shtoi se të enjten tjetër, më 27 tetor, do të shqyrtohen disa nga pikat e projektligjeve të ngelura nga seancat e kaluara.
Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se aktualisht Kosova ka mungesë të realizimit të projekteve, duke shtuar se sikur të kishte Qeveri më efikase, projektet do të duhej të lëviznin më shpejt.
“Jemi në një situatë ku duhet të shpenzojmë deri në 20 për qind të vlerës së projektit, nga ato mjete që i kemi në bilanc bankar që janë rreth 700 milionë në kuadër të bilancit bankar. Kemi edhe mungesë të realizimit të projekteve, që duhej të realizoheshin dhe të mos vinim në një situatë të tillë. I kemi bëri thirrje në vazhdimësi të realizojë projekte që kanë qenë në kuadër të buxhetit. Një projektligj i tillë nuk është konsultuar me Asociacionin e Kosovës. Ky projektligj ka ardhur në Kuvend ka konsultime. Projektligji i dytë, i jep mundësinë Qeverisë të ndërhyjë në treg. Mënyra si është paraparë të ndërhyhet në treg është në kundërshtim”, deklaroi Tahiri.
Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se Qeveria Kurti do të futet në histori si më e dobëta në investimet kapitale. Ai tha se Ligji i Pagave ka përfunduar fazën e konsultimit publik, por që nuk po shkon në Kuvend për miratim.
“Ligji i Pagave e ka përfunduar procesin e konsultimit dhe ky ligj ende nuk vjen për miratim në Kuvend. Mosardhja e këtij ligji nënkupton shtyrje edhe për 1 vit për zbatim. AAK-ja kërkon që të vjen në Kuvend ligji. Me ecurinë aktuale, ky s’ka mundësi të futet në miratim më 1 janar”, shtoi ai.
Në Raportin e Progresit, Kuvendi i Kosovës u kritikua për mospunë dhe për mungesa të shpeshta të kuorumit në sallën e Kuvendit. Nga partia në pushtet kanë thënë se Kuvendi ka shënuar sukses në kalimin e ligjeve, 87 për një sesion.