Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka bërë batutë me kritikat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ndaj Bashkimit Evropian sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor.
Në Kongresin e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropian që u zhvillua në Berlin, Scholzi ka thënë se integrimi i këtyre vendeve nuk do të jetë më vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
Gjatë fjalimit të tij, në një moment Scholzi i drejtohet Ramës, duke i thënë se sapo kishte deklaruar se i qëndrojnë krah vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor ka 20 vjet që janë kandidatë për në BE. Por pas kaq kohësh kjo nuk do të jetë vetëm me fjalë por edhe me vepra. Edi, sapo thash se ne i qëndrojmë krah vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Scholz duke buzëqeshur.
Rama e ka publikuar në Facebook deklaratën e Scholzit duke shkruar: Ai momenti kur drejtori ta përsërit para kolektivit që do marrësh honorar për punën jashtë orarit.
Rama e ka kritikuar vazhdimisht Bashkimin Evropian për lënien anash të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtë e ka bërë edhe gjatë Kongresit të Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë.