Revista Franceze “Petit Fute” më 28 shtator të këtij viti ka publikuar një artikull të sponsorizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve KIESA, ku në këtë artikull në mes të tjerash është promovuar Kosova si “vend ku kanë lindur manastiret madhështore të Kishës Ortodokse serbe”.
Për këtë ka pasur kritika të ashpra edhe sot në Kuvendin e Kosovës ku deputetët e PDK-së Abelard Tahiri dhe Blerta Deliu i kërkuan dorëheqje Ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) Rozeta Hajdari.

KosovaNews i ka dërguar pyetje MINT për të kërkuar sqarime rreth kësaj çështje.
Në përgjigjen me shkrim nga kjo ministri thuhet se marrëveshja në mes MTI dhe revistës “Petit Fute” daton nga vitet 2015/2016, e nënshkruar asokohe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe së fundmi e vazhduar me datën 29.07.2022 nga MINT/KIESA.
“Në vijim i keni informatat kronologjike te marrëveshjes kontraktuale në mes Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve-KIESA, respektivisht të ish-Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), tani Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe shtëpisë botuese “Petit Fute”.Marrëveshja në mes MTI dhe “Petit Fute” daton nga vitet 2015/2016, e nënshkruar asokohe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe së fundmi e vazhduar me datën 29.07.2022 nga MINT/KIESA. Tashmë për këtë çështje kemi bërë sqarime për opinionin publik në platformat elektronike të ministrisë, si në ueb-faqe dhe facebook (më: 07.10.2022), ku kemi sqaruar se KIESA asnjëherë nuk e ka aprovuar tekstin e publikuar nga shtëpia botuese “Petit Fute”, si dhe nuk ka proceduar asnjë pagesë për këtë publikim/artikull të publikuar. Rikujtojmë se me datë 09.08.2022, KIESA ia ka dërguar materialin shtëpisë botuese “Petit Fute” me të dhënat për potencialet e Republikës së Kosovës, të cilat kanë mundur të shfrytëzohen për përgatitjen e artikullit. Pas kësaj, tri herë radhazi KIESA ka kërkuar nga shtëpia botuese “Petit Fute”, që artikullin ta mbështesë me të dhënat e ofruara nga KIESA, mirëpo kjo nuk është respektuar nga shtëpia botuese.
Përfundimisht, artikulli nuk është shkruar sipas kërkesave të KIESA dhe se shtëpia botuese në fjalë nuk e ka marrë materialin e dërguar nga KIESA. Konsiderojmë se shtëpia botuese “Petit Fute” ka bërë shkelje të marrëveshjes. Bashkangjitur e keni tekstin zyrtar të KIESA, që ia ka përcjellë shtëpisë botuese “Petit Fute”- thuhet në përgjigjen e MINT.
Ndërkohë edhe në draftin e dërguar nga MINT në Gjuhën Angleze të cilin ia kanë dërguar revistës franceze nuk figurojnë të dhënat që ka publikuar kjo revistë.
I kontaktuar nga KosovaNews ushtruesi i detyrës së KIESA Zef Dedaj ka deklaruar se për këtë çështje ka komunikuar disa herë përmes emailit me Berenger Thibaut përfaqësues i revistës “Petit Fute”.
Dedaj thotë se në komunikimin e fundit me përfaqësuesin ne fjalë me 10 tetor i ka kërkuar që urgjentisht të fshihet ky artikull pasi që nuk është i dakurduar me KIESA dhe ka shkelur marrëveshjen në mes palëve, për këtë Dedaj si dëshmi na ka dërguar edhe emailin në fjalë.

“Tërheqja e artikullit për Republika e Kosovës
Zoti Berenger Thibaut,
Duke iu referuar marrëveshjes sonë të bashkëpunimit të datës 29.07.2022, neni 4 i marrëveshjes, të cilën ju nuk kanë respektuar. Prandaj kërkojmë urgjentisht që të tërhiqni më së voni brenda 24 orëve nesër në mesnatë, artikulli i botuar në lidhje me Republiken e Kosovës pa miratimin tonë. Për më tepër, kapitulli Kosova në katalogun tuaj duhet të hiqet urgjentisht nga të gjitha botimet dhe publikime – kopje fizike dhe elektronike. Përndryshe , ne do të ndërpresim kontratën me ju, dhe n do të fillojmë procedurat ligjore kundër kompanisë Petit Fute për dëmin e parikuperueshëm që ju i keni shkaktuar historisë dhe kombit tonë dhe që është plotësisht në kundërshtim me versionin zyrtar që ju kemi dërguar” thuhet në emailin që ia ka dërguar drejtori i KIESA-s përfaqësuesit të revistës franceze.
Drejtori i KIESA thotë se pas këtij paralajmërimi janë duke përgatitur padi ndaj Revistes Franceze “Petit Fute” dhe nuk do ta procedojnë asnjë pagesë për artikullin e publikuar. / KosovaNews