Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kanë vizituar sot bujqit në komunën e Gjilanit, të cilët këto ditë po e lëvrojnë tokën dhe po e bëjnë gati për të mbjellat vjeshtore.
E derisa ishte në arat e një bujku nga fshati Miresh i Gjilanit dhe po i shikonte nga afër punët që bëheshin atje, një ngjarje paksa qesharake i ka ndodhur kryeministrit Kurti.
Ai këtë e ka treguar vetë në një postim në rrjetin social.
Kurti tha se teksa po bisedonte me bujqit, një gazetare e ka ndjekur nëpër ara dhe e ka pyetur me insistim për Lajçakun.
“Teksa bisedonim me bujqit, gazetarja që na ndiqte nëpër ara po më pyeste me insistim për Lajçakun. Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit”, ka shkruar Kurti.


