Java e tretë e shtatorit në Kosovë po përmbyllet me qindra mijëra nxënës jashtë shkollave, me sindikalistë të arsimit që nuk heqin dorë nga greva dhe me Qeverinë e vendit që kërkon fillimin e mësimeve.
E për këtë çështje është përfshirë edhe Avokat i Popullit, Naim Çelaj, i cili u ka bërë thirrje SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës që të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim.
Madje Çelaj në nëj deklaratë të dhënë dje për media tha se grevistët e arsimit dhe Qeveria janë përafruar drejt një marrëveshjeje.
“Në shkresën e fundit që kam marrë nga sindikata unë besoj që po, besoj që është përafruar shumë edhe në këtë pikë, edhe në nuk besoj që më mbesin pika të tilla që nuk lejojnë përafrim të qëndrimit të palëve. Ajo çka kam kujdes unë sot është të mos ngutem me konstatimet e mia, sepse dua që të jem i kujdesshëm, ta ruaj rolin e ndërmjetësit duke qenë i paanshëm, neutral, dhe duke u dhënë mundësinë vetë palëve për të dalë prej situatës dhe të gjejnë zgjidhje”, ka thënë Çelaj.
E sot mediat kanë publikuar njoftimin që SBASHK-u ua ka përcjell krerëve sindikalë të komunave të Kosovës, ku bëhet e ditur se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka dërguar shkresë tek Avokati i Popullit.
Në këtë shkresë thuhet se BSPK-ja ka kërkuar që rritja e pagës nga shtatori të jetë për 9.5 për qind dhe shtesa prej 50 eurove të jepet deri në dhjetor, kurse nga muaji janari i vitit 2023, të ketë rritje të pagës aq sa ka rritje ekonomike.
BSPK-ja kërkoi që të merren parasysh edhe vërejtjet e sindikatave mbi Ligjin e Pagave si dhe në Ligjin e Zyrtarëve publikë.
“2. Ligji i skemave pensionale të financuara nga shteti të bëhet plotësim-ndryshimi duke eliminuar kërkesën e 15 vjetëve si kontributdhënës para vitit 1990, gjegjësisht 1999 për arsimin. Deri në fund të nëntorit 2022. 3. Deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim-ndryshimi i Ligjit të sigurimeve shëndetësore ose në të kundërtën të fillojë zbatimi i Ligjit aktual të sigurimeve shëndetësore nga janari i vitit 2022”, thuhet në kërkesat e parashtruara nga BSPK-ja për Avokatin e Popullit.


