Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë arritur në vendin ku do të mbahet takimi i Bërdo-Brijunit. Para se të fillojë takimi, të gjithë pjesëmarrësit kanë bërë një foto të përbashkët.
Sot në Kranjë të Sllovenisë mbahet samiti i njëmbëdhjetë i liderëve të Procesit Bërdo-Brijuni.
Presidenti slloven, Borut Pahor do t’i pres sot liderët e vendeve të Evropës Juglindore, në samitin që ka për qëllim zhvillimin politik dhe të përgjithshëm në Evropën Juglindore.
Pjesëmarrja në Procesin Bërdo-Brijuni i cili këtë vit po mbahet në Slloveni është konfirmuar nga të gjithë drejtuesit e iniciativës: bashkëdrejtuesi i Iniciativës, presidenti kroat Zoran Milanović; Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu: Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj; tre anëtarë të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës: Zheljko Komshiq, Milorad Dodik dhe Shefik Xhaferovic; Presidenti malazez Milo Gjukanoviq; Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Kosova në këtë Samit përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
“Temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.
Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë.
Ndryshe takimi i Procesit Bërdo-Brione do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni nën udhëheqjen e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanović.
Ky samit, kontribuon në procesin e zgjerimit dhe në të njëjtën kohë trajton disa çështje delikate të politikave globale dhe rajonale.
Sipas presidencës sllovene, sivjet ky Samit do të jetë një mundësi për të vlerësuar situatën aktuale në rajon dhe mbi të gjitha për t’u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.
Kjo nismë e quajtur Procesi i Bërdo-Brijuni u formua në vitin 2010 nga kryeministrat e atëhershëm slloven dhe kroat, Borut Pahor dhe Jadranka Kosor./KosovaNews/


