Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vazhduar kritikat drejt Kosovës për refuzimin e nismës “Open Balkan”.
Rama, ka deklaruar se nëse Kosova do të ishte ulur në tryezën e “Ballkanit të Hapur”, marrëveshja e arritur me Serbinë për lëvizjen e lirë do të zgjidhej me kohë.
Rama ka thënë në një konferencë për media të premten në Beograd, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve në kuadër të “Ballkanit të Hapur” se ai nuk ka thënë që “Ballkani i Hapur” dhe ai personalisht kanë luajtur rol në arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, më 27 gusht.
“Unë kam thënë që zgjidhja që iu dha një ngërçi të gjatë dhe të përsëritur, është një zgjidhje e kornizës së ‘Ballkanit të Hapur’ në sensin që ne të gjithë këtu qarkullojmë me karta identiteti. Prej kohësh, sot, ata që lëvizin nga Shqipëria për në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe anasjelltas nuk kanë nevojë fare për pasaporta. Nëse Kosova do të ishte e ulur në tryezën e Ballkanit të Hapur dhe nuk do të refuzonte në mënyrë konstante dhe tërësisht të gabuar për të, kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë. Nuk thash se këtë e ka zgjidhur kjo treshe as që unë dhe Shqipëria kemi luajtur ndonjë rol”, ka thënë Rama nga Beogradi.


