Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, priti në selinë e KFOR-it Dirk Schüble, i cili së fundmi mori detyrën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Takimi ofroi një mundësi për të diskutuar situatën e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe për të rritur koordinimin, transmeton IndeksOnline.
KFOR-i deklaroi se gjeneralmajor Ulutaş shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm midis KFOR-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes; në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë” thuhet në njoftimin e KFOR-it.

