Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar në kufi importin e dy dërgesave me qumësht UHT nga Kosova, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar prani të aflatoksinës mbi nivelin maksimal të lejuar.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për gjithsej 27.520 kilogramë qumësht, të cilat janë ndaluar në pikën kufitare Bllacë gjatë kontrolleve zyrtare të importit.
Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se produkti është vlerësuar si i pasigurt për konsum, ndërsa të dyja dërgesat janë asgjësuar nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar.
“Gjatë kontrollit të dërgesave, pas marrjes së mostrave dhe analizave laboratorike, është konstatuar prani e shtuar e aflatoksinës”, thuhet në njoftimin e autoriteteve maqedonase.
Sipas AUV-së, kontrollet janë kryer në kuadër të programit zyrtar për monitorimin e ushqimeve me origjinë shtazore që importohen në Maqedoninë e Veriut.
Nga njoftimi zyrtar i autoriteteve maqedonase nuk rezulton se është vendosur ndalim i përgjithshëm për importin e qumështit nga Kosova.
Bëhet fjalë për dy dërgesa konkrete, të cilat janë ndaluar dhe nuk janë lejuar të hyjnë në tregun maqedonas për shkak të rezultateve laboratorike.
Autoritetet nuk kanë bërë publik emrin e prodhuesit apo markën e qumështit, ndërsa nuk është bërë i ditur as niveli konkret i aflatoksinës i konstatuar në mostrat e analizuara.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar gjithashtu se qumështi i dy dërgesave nuk ka hyrë në tregun e Maqedonisë së Veriut.
Aflatoksina është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myku dhe mund të paraqesë rrezik për shëndetin nëse është e pranishme në ushqime në nivele mbi kufijtë e përcaktuar të sigurisë.

