Kombëtarja e Kosovës në volejboll për femra ka shënuar një fitore historike në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke mposhtur Algjerinë me rezultat 3:0.
Këtë ndeshje e ndoqi nga afër U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e shoqëruar nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe Ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala.
Prania e përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës ishte një mesazh i rëndësishëm mbështetjeje për sportistet kosovare, të cilat po e përfaqësojnë vendin në një prej ngjarjeve më të mëdha sportive të rajonit.
Vajzat e Kosovës zhvilluan një paraqitje të sigurt dhe dominuese ndaj Algjerisë, duke e mbyllur ndeshjen në tri sete: 19:25, 10:25, 14:25.
Kjo ishte fitorja e parë e Kosovës në volejbollin e femrave në Lojërat Mesdhetare, duke u shndërruar në një moment historik për volejbollin kosovar.
Triumfi në Taranto është rezultat i punës, përkushtimit dhe sakrificës së volejbollisteve dhe stafit të Kombëtares, por njëkohësisht dëshmi e gatishmërisë së ekipeve tona përfaqësuese për ta përfaqësuar me dinjitet Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Federata e Volejbollit të Kosovës ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e veçantë për U.D. Presidenten Albulena Haxhiu, ministrin në detyrë, Elbert Krasniqi dhe ambasadoren Nita Shala për praninë dhe mbështetjen e tyre ndaj vajzave kosovare.

