Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka raportuar në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) për ecurinë e përgatitjeve të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Gjatë prezantimit para Asamblesë, Gashani paraqiti punën e bërë deri më tani dhe progresin e arritur në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtij eventi të madh sportiv ndërkombëtar.
Përmes materialeve vizuale, statistikave dhe të dhënave konkrete, ai prezantoi para përfaqësuesve të vendeve anëtare hapat e ndërmarrë nga Kosova në funksion të organizimit të Lojërave.
Raportimi i Kosovës ishte pjesë e agjendës së rregullt të Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, ku vendet nikoqire raportojnë mbi përgatitjet dhe zhvillimet drejt edicioneve të ardhshme të Lojërave Mesdhetare.
Megjithatë, prezantimi i delegacionit të Kosovës u shoqërua me një incident diplomatik. Delegacioni i Serbisë, në shenjë proteste dhe kundërshtimi, u largua nga salla gjatë kohës kur po prezantoheshin përgatitjet për Prishtina 2030.
Pavarësisht këtij veprimi, prezantimi i Kosovës vazhdoi dhe delegacioni që po punon për Prishtina 2030 paraqiti para Asamblesë progresin e arritur deri më tani.
Kosova synon që në katër vitet e ardhshme të përmbyllë përgatitjet infrastrukturore dhe organizative për të qenë e gatshme për pritjen e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030. /Kosovapress/

