Një person është arrestuar nën dyshimin për kanosje, ndërsa policia ka konfiskuar edhe një armë zjarri në fshatin Nerodime e Poshtme të Ferizajt.
Policia njofton se më 16 gusht, rreth orës 19:30, ka pranuar informatë për një rast të kanosjes. Sipas informatave fillestare, i dyshuari, 31-vjeçar, fqinj i ankuesit, kishte dalë në oborrin e tij dhe ishte afruar te dera e oborrit të ankuesit, ku e kishte kanosur me fjalë kërcënuese.
Njësia patrulluese, e mbështetur nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, ka reaguar në vendin e ngjarjes, ku ka arrestuar të dyshuarin M.M., 31 vjeç, dhe e ka shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj.
Gjatë veprimeve policore, është kontaktuar edhe S.M., 55 vjeç, i cili ka deklaruar se posedonte një armë të gjatë gjysmëautomatike, pa fishekë. Arma i është dorëzuar policisë dhe është konfiskuar.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, M.M. është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore, nën dyshimin për veprën penale “Kanosje”.
Ndërkaq, S.M. është liruar në procedurë të rregullt, nën dyshimin për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

