Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim konsultativ të martën, më 18 gusht, në orën 09:00.
Ftesën e ka konfirmuar për RTKlive Presidenca e Kosovës, ndërsa ajo u është dërguar veçmas përfaqësuesve të subjekteve politike.
Në ftesë thuhet se takimi lidhet me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”, thuhet në ftesë.
Takimi do të mbahet në Zyrën e Presidentes, ndërsa të ftuarve u është kërkuar që të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre ose të përfaqësuesit të subjektit politik.
Ftesa vjen një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi se heq dorë nga bashkëqeverisja me Vetëvendosjen duke theksuar se se është e gatshme ta votojë një president konsensual.
Ndërkohë kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të premten se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale, me mbështetje sa më të gjerë politike dhe qytetare.
Kurti deklaroi se synimi është që përmes një marrëveshjeje për presidentin të shmanget mundësia e shkuarjes në zgjedhje të reja.
“Jemi të gatshëm të bëjmë diskutime shteruese për emrat që mund t’ia japim nënshkrimet dhe të kandidojnë. Dikush që është jashtë skenës aktuale politike, jashtë polemikave ditore partiake dhe që është figurë unifikuese”, deklaroi Kurti.

