Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe nënkryetari i saj, Besnik Tahiri, i ka kërkuar takim kryesuesit të Seancës Konstituive, Avni Dehari, lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës të Kuvendit.
Në shkresën e dërguar sot, Tahiri i referohet Rregullores së Punës së Kuvendit, duke theksuar se seanca e radhës duhet të mbahet brenda afatit të përcaktuar prej 48 orësh.
Tahiri ka propozuar që takimi me Deharin të mbahet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit.
“Në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe të respektimit të procedurave parlamentare, kam propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit. Pres konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se pas takimit do t’u drejtohen mediave në hollin e Kuvendit.
Kërkesa e Tahirit vjen në prag të seancës së radhës, ndërsa Kuvendi vazhdon procesin e konstituimit.

