Vetëm pak ditë pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, promovoi me bujë përfundimin e punimeve në krahun e rrugës “Gjergj Balsha” në lagjen Arbëria, gjendja në terren tregon një realitet krejt tjetër. Fotot e siguruara dëshmojnë mangësi serioze në ekzekutimin e projektit, duke ngritur pikëpyetje për cilësinë e punimeve të financuara nga taksa infrastrukturore.
Në disa fotografi shihet një pusetë e hapur, me kapakun e betonit të vendosur në mënyrë të improvizuar mbi hyrje dhe i mbajtur me gurë, dhe asfalti i prerë, gjë që paraqesin rrezik për këmbësorët dhe automjetet. Përreth vërehet zhavorr i papërfunduar, mbeturina ndërtimore dhe mungesë e rregullimit përfundimtar të hapësirës.
Gjendja aktuale në terren lë të kuptohet se punimet ose nuk janë përfunduar sipas standardeve të kërkuara, ose janë dorëzuar pa u eliminuar mangësitë.
Banorët kërkojnë që institucionet komunale të ndërhyjnë urgjentisht për të sanuar problemet dhe për të garantuar sigurinë në këtë segment rrugor, i cili u promovua si një investim i rëndësishëm për lagjen Arbëria.




