Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka pritur në takim deputetin e rizgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha.
Gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e informimit të qytetarëve lidhur me programet dhe mundësitë që ofron Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, me fokus të veçantë në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pjesëtarët e komuniteteve.
Ministri Hoti ka bërë të ditur se e ka njoftuar Berishën edhe me draftin e Projektligjit të ri për Mirëqenie Sociale dhe Programet e Mbrojtjes Sociale, i cili është pjesë e reformës në fushën e politikave sociale.
Sipas tij, një nga ndryshimet më të rëndësishme të kësaj reforme është heqja e kriterit të moshës pesëvjeçare të fëmijës si kusht për përfitimin e asistencës sociale, me qëllim krijimin e një qasjeje më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për familjet në nevojë.
Hoti ka njoftuar se së shpejti do të nisë një fushatë vetëdijësuese në të gjithë Kosovën për rritjen e informimit të qytetarëve mbi politikat e punësimit, programet e aftësimit profesional dhe mundësitë që ofron ministria.


