Numri i rasteve të dhunës seksuale në Kosovë mbetet i lartë dhe kjo vazhdon të jetë shqetësuese. Dhunimi i 11 vjeçares që ndodhi të shtunën e 27 gushtit në Prishtinë nga pesë persona, ka alarmuar institucionet, shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare në vend.
Policia e Kosovës tashmë ka arritur t’i arrestojë të pesë të dyshuarit, ndërkaq ndaj katër prej tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Nga pesë të arrestuarit katër janë të mitur dhe një 27-vjeçar.
Vetëm në shtatë mujorin e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 41 raste të dhunimit.
Kështu ka bërë të ditur PK-ja në një përgjigje me shkrim për telegrafin, duke theksuar se krahasuar me periudhën e njëjtë në vitin e kaluar, këtë vit vërehet rënie e rasteve të tilla.

“Lidhur me kërkesën ju përcjellim të dhëna të përgjithshme të të gjitha grupmoshave për rastet e veprës “Dhunim”, për vitin 2021 dhe periudhën krahasimore janar-korrik 2021-2022, ku vërehet se ka rënie të theksuar të rasteve të kësaj natyre”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Sipas policisë gjatë vitit 2021 gjithsejtë janë raportuar 102 raste të dhunimit, ndërkaq në periudhën janar-korrik kanë qenë të raportuara 59 raste.


