Një shtetas i huaj është gjetur pa shenja jete në Liqenin e Batllavës, pas një operacioni kërkim-shpëtimi të zhvilluar nga ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ngjarja është raportuat të dielen, rreth orës 17:30, ndërsa trupi i viktimës është lokalizuar nga Njësia e Zhytësve të FSK-së gjatë operacionit në liqen.
FSK ka njoftuar se, pas alarmimit nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës, ekipet e saj kanë ndërhyrë menjëherë për kërkimet. Pas disa orësh angazhim, është arritur të gjendet trupi i pajetë i personit me inicialet A.A., shtetas i huaj.
Trupi i viktimës u është dorëzuar autoriteteve kompetente për procedurat e mëtejme, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rastin, i cili është cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.


