Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit pritet të mbahet në fillim të muajit gusht, ndërsa data dhe ora e saktë do të publikohen javën e ardhshme.
Haxhiu theksoi se Kushtetuta i jep presidentit afat prej 30 ditësh për thirrjen e seancës konstituive dhe se ka vendosur t’u japë hapësirë partive politike për të zhvilluar bisedime.
“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë”, deklaroi Haxhiu.
Sipas saj, kjo qasje synon të krijojë mundësi për arritjen e një marrëveshjeje politike para konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të shmanget zvarritja e procesit të zgjedhjes së presidentit.
“E kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin”, tha ajo.
Haxhiu paralajmëroi se dështimi për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat, sipas saj, nuk do të ishin në interes të qytetarëve.
“Askush nuk i do zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës sepse nuk do të zgjidhnin asgjë”, theksoi ajo.
Ajo përshëndeti vazhdimin e takimeve të iniciuara nga kryeministri Albin Kurti me partitë politike, duke vlerësuar pjesëmarrjen e PDK-së dhe LDK-së në fazën fillestare, ndërsa shprehu keqardhje që LDK-ja ka pezulluar negociatat dhe i bëri thirrje AAK-së t’u përgjigjet pozitivisht ftesave.
Haxhiu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjithë deputetëve në seancën konstituive.


