Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvall,a ka bërë të ditur se pakoja e reformës në drejtësi po i afrohet finalizimit institucional.
Kjo pas një takimi të zhvilluar me përfaqësues të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë.
Gërvalla theksoi se reforma në drejtësi nuk është vetëm një proces i ndryshimeve ligjore, por një domosdoshmëri për ndërtimin e një sistemi drejtësie me integritet.
Postimi i plotë:
Pakoja e reformës në drejtësi drejt finalizimit institucional
Bashkë me zëvendësministrin Nimoni, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Akademisë së Drejtësisë u mblodhëm për të diskutuar çështjet finale të pesë projektligjeve që janë pjesë e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit për reformën në drejtësi.
Përmes një diskutimi të hapur dhe profesional, diskutuam dhe harmonizuam dispozitat e këtyre projektligjeve, me synimin që ato të finalizohen në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Reforma në drejtësi nuk është thjesht një proces ndryshimesh ligjore. Është një domosdoshmëri shtetërore për ndërtimin e një sistemi drejtësie që nuk toleron kompromis me integritetin, që e vendos llogaridhënien në themel dhe që rikthen besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Mbetemi të përkushtuar që, përmes dialogut ndërinstitucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë akterët e sistemit, të çojmë përpara reforma që e forcojnë sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.


