Katër persona të lënduar nga të shtënat me armë zjarri në Podujevë janë pranuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar për Lajmi.net se të plagosurit janë të moshës së mesme dhe aktualisht po u nënshtrohen ekzaminimeve dhe trajtimit të nevojshëm mjekësor.
Sipas tij, gjendja e tyre është serioze, por stabile.
“Katër të plagosur janë pranuar, të moshës së mesme. Janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme. Për të katërtit gjendja është e rëndë, por stabile,” ka deklaruar Syla.
Mjekët po vazhdojnë monitorimin e tyre, ndërsa situata mbetet nën kujdes intensiv.



