KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
Search
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
Follow US
© KOSOVANEWS ||Made by V͟I͟R͟A͟L͟ D͟i͟g͟i͟t͟a͟l͟
Home » Qeveria raporton për reformën në inspektime, Kurti: Po ndërtojmë sisteme që zvogëlojnë hapësirat për korrupsion
Siguri

Qeveria raporton për reformën në inspektime, Kurti: Po ndërtojmë sisteme që zvogëlojnë hapësirat për korrupsion

Kosova News
Kosova News 13:41 -01/07/2026
Shpërndaje
Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e Raportit të Përgjithshëm mbi Inspektimet për vitin 2025 nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm, në kuadër Zyrës së Kryeministrit.

Në fjalën hapëse, kryeministri në detyrë Kurti tha se, në mandatin e kaluar, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës hodhën hapin e parë legjislativ drejt një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit të inspektimit duke miratuar Ligjin për Inspektimet. Ai shtoi se në raport evidentohet progres i dukshëm në zbatimin e kësaj reforme.

“Inspektimet nuk janë vetëm një çështje teknike apo administrative; ato janë një nga mënyrat më konkrete përmes të cilave shteti i drejtë tregon se ligji nuk është fjalë në letër, por standard që vlen në treg, në vendin e punës, në ushqimin që konsumojmë, në produktet që blejmë, në shërbimet që i marrim dhe në mjedisin ku jetojmë.”, theksoi kryeministri në detyrë Kurti.

Ai nënvizoi se përveç ndryshimeve, me të cilat Qeveria synon të mbështesë dhe të bashkëpunojë me sektorin privat, reforma ligjore po ashtu e ka për qëllim forcimin dhe përmirësimin e punës së vet inspektorateve dhe personelit të tyre.

Teksa theksoi se është e rëndësishme që inspektimet të mos kthehen asnjëherë në mjet presioni, favorizimi apo keqpërdorimi, kryeministri shtoi se “qeverisja jonë e ka pasur dhe vazhdon ta ketë të qartë: korrupsioni luftohet jo vetëm duke ndëshkuar posteriori rastet kur ato ndodhin, por duke ndërtuar sisteme që i zvogëlojnë mundësitë e hapësirat për arbitraritet, për pazare, për ndërhyrje dhe për trajtim të pabarabartë”.

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

E nderuara znj. Lyra Osmani Ahmeti, Inspektore e Përgjithshme,

Të nderuar ministra e zëvendësministra,

E nderuara znj. Carole Megevand, Menaxhere e Bankës Botërore për Kosovë dhe

Maqedoni të Veriut,

I nderuari z.Dudley Tarlton, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në

Kosovë,

I nderuari, z. Markus Delfs, Drejtor i GIZ për Kosovë,

Të nderuar ambasadorë e përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të inspektorateve në nivel qendror dhe lokal,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe të asociacioneve të biznesit,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Ju falemnderit për ftesën për ta hapur këtë prezantim të rëndësishëm të punës së inspektorateve të vendit tonë, gjatë vitit të kaluar kalendarik.

Në mandatin e kaluar, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës hodhën hapin e parë legjislativ drejt një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit të inspektimit. Këtë e kemi bërë përmes propozimit dhe miratimit të Ligjit për Inspektimet, nr. 08/L-067, një ligj që ishte vonuar me vite të tëra para se të merrnim drejtimin e ekzekutivit.

Sot jemi mbledhur për të diskutuar Raportin e përgjithshëm mbi inspektimet për vitin 2025, në të cilin evidentohet progres i dukshëm në zbatimin e kësaj reforme.

Ndryshimet, të cilat i kemi nisur në sistemin e inspektimit, synojnë modernizimin e plotë dhe rritjen e efikasitetit të inspektorateve të Kosovës, si në nivelin qendror, ashtu edhe në nivelin lokal, me një qëllim kryesor, të përcaktuar me ligj, po citoj: “mbrojtja e interesit publik, duke përfshirë shëndetin publik, sigurinë publike dhe mjedisin”, mbaron citati nga ligji.

Një ndër pjesët më të rëndësishme të reformës, është një qasje e re e bazuar në nivele të ndryshme të rrezikut të krijuara nga subjekte të ndryshme të inspektimit. Për shembull, një biznes, i cili merret me aktivitete të rrezikshme, ose që ka një ndikim te një numër më i madh i konsumatorëve, parimisht duhet të inspektohet më shpesh sesa biznese të tjera.

Po ashtu, ndaj atyre subjekteve, të cilat kanë një histori të shkeljeve të rënda të rregullave ligjore, të cilat rrezikojnë në mënyrë të përsëritur jetën ose shëndetin e punëtorëve dhe konsumatorëve, inspektoratet tona duhet të jenë sa më të rrepta dhe pakompromis, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore që i kanë në dispozicion, përfshi gjobitjen, e madje edhe kallëzime penale në rastet më të rënda.

Mirëpo, pjesa dërrmuese e bizneseve të vendit tonë, fatmirësisht, nuk janë shkelës flagrantë apo recidivistë. Për këtë shumicën e madhe të bizneseve, të cilat kanë një vullnet të sinqertë për t’i respektuar rregullat e parashikuara me ligj, reforma kërkon një qasje bashkëpunuese, e cila synon të ulë sa më shumë barrën administrative mbi sektorin privat.

Për shembull, përmes listave të kontrollit të publikuara nga secili inspektorat, bizneset do të kenë mundësi t’i dinë saktësisht kriteret ligjore në bazë të të cilave do të inspektohen ato. Përmes inspektimeve të përbashkëta, ku dy apo më shumë inspektorate kryejnë punën e tyre me një vizitë të vetme, do të reduktohen koha dhe burimet që bizneset duhet të harxhojnë gjatë vizitave të inspektorëve. Dhe, përmes njoftimit për miratimin e inspektimit në raste kufizuara e të caktuara, bizneset do të mund të planifikojnë paraprakisht për ndërprerjen apo reduktimin e punës si pasojë e ardhjes së inspektorëve.

Përveç këtyre ndryshimeve, me të cilat Qeveria synon të mbështesë dhe të bashkëpunojë me sektorin privat, reforma ligjore po ashtu e ka për qëllim forcimin dhe përmirësimin e punës së vet inspektorateve dhe personelit të tyre.

Fillimisht, ligji i ri e ka themeluar Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Puna kryesore e kësaj zyre të re është bashkërendimi dhe mbështetja e inspektorateve në nivelin qendror si dhe në atë lokal. Gjithashtu, Ligji parashikon ngritjen e statusit të inspektorateve qendrore në agjenci ekzekutive, gjë që do të rrisë dukshëm kapacitetet dhe burimet të cilat ato i kanë në dispozicion për kryerjen e misionit të tyre.

Dhe, për të përmirësuar performancën e vetë inspektorëve, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike, sivjet do ta nisë zbatimin e programit të trajnimit dhe certifikimit të të gjithë inspektorëve të rinj, si dhe të atyre aktualë. Inspektorët së shpejti do të kenë qasje edhe në një sistem të ri digjital, të quajtur “e-inspektimi”, i cili do të përmirësojë efikasitetin, saktësinë dhe koherencën e punës së tyre.

Përmes kësaj pako ndryshimesh, pra, reforma ligjore synon të ofrojë më shumë siguri për qytetarët, por gjithashtu edhe më shumë drejtësi për bizneset e ndershme, e gjithsesi më pak hapësirë për arbitraritet.

Megjithëkëto, shteti ligjor nuk matet vetëm me ligjet që i miraton, por me zbatimin e atyre ligjeve, me rregullin që e vendos në jetën e përditshme të qytetarëve, të punëtorëve, të konsumatorëve dhe të bizneseve. Ligji duhet të jetë i qartë, i barabartë për të gjithë dhe i zbatueshëm në praktikë.

Kjo është arsyeja pse inspektimet nuk janë vetëm një çështje teknike apo administrative; ato janë një nga mënyrat më konkrete përmes të cilave shteti i drejtë tregon se ligji nuk është fjalë në letër, por standard që vlen në treg, në vendin e punës, në ushqimin që konsumojmë, në produktet që blejmë, në shërbimet që i marrim dhe në mjedisin ku jetojmë.

Puna sipas ligjit dhe rregullave është themeli i një ekonomie të drejtë. Aty ku rregullat zbatohen njësoj për të gjithë, bizneset e ndershme nuk dëmtohen nga konkurrenca e pandershme; punëtori nuk lihet pa mbrojtje; konsumatori nuk mashtrohet; dhe qytetari nuk mbetet i vetëm përballë atyre të cilët synojnë fitim kundër ligjit. Prandaj, një sistem funksional i inspektimeve është edhe mbrojtje e interesit publik, edhe mbrojtje e tregut të drejtë, edhe mbrojtje e atyre të cilët punojnë ndershëm dhe e respektojnë shtetin.

Po aq e rëndësishme është që inspektimet të mos kthehen asnjëherë në mjet presioni, apo favorizimi apo keqpërdorimi. Qeverisja jonë e ka pasur dhe vazhdon ta ketë të qartë: korrupsioni luftohet jo vetëm duke ndëshkuar posteriori rastet kur ato ndodhin, por duke ndërtuar sisteme që i zvogëlojnë mundësitë e hapësirat për arbitraritet, për pazare, për ndërhyrje dhe për trajtim të pabarabartë. Sa më shumë transparencë, standarde të qarta, procedura të unifikuara dhe digjitalizim gjithandej të kemi në inspektimet e shtetit, aq më pak hapësirë ka për korrupsion, për abuzim me detyrën dhe për padrejtësi ndaj qytetarit apo biznesit.

Prandaj, të nderuar të pranishëm reforma e inspektimeve është edhe pjesë e betejës sonë më të gjerë për një administratë cilësore publike e cila nuk i shërben kurrsesi interesave të ngushta, por gjithsesi qytetarit; që nuk krijon rrugë anësore për të fortët, por siguron rregulla të barabarta për të gjithë; që nuk e sheh ligjin si pengesë, por si garanci për drejtësi, zhvillim dhe besim në Republikë.

Ju falemnderit edhe një herë për ftesën për ta hapur këtë prezantim tejet të rëndësishëm, i cili përbën le të themi një “raport progresi” të brendshëm për zbatimin e reformës së miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës.

Ju uroj suksese dhe punë të mbarë.

Gjithashtu lexoni:

Pas tragjedisë në Liqenin e Batllavës, familja e Lirim Ruhanit del me njoftim mortor

Këta janë të arrestuarit: Skema e rëndë e mashtrimit me derivate që çoi në pranga grupin kriminal

Nëna e 26-vjeçarit të vrarë në Prizren kërkon burg të përjetshëm dhe prezencë të mediave në gjykim

Dëbohen nga Kosova kundërvajtësit e Vidovdanit, Gjykata ua përshkruan edhe gjobën

Nëntë të arrestuar në aksionin ndaj kompanive të naftës, sekuestrohen armë dhe prova të tjera

Kosova News 01/07/2026 01/07/2026
Shpërndaje
Facebook Whatsapp Whatsapp Email Copy Link Print
- Reklamë -
Ad image
Moti
19°C
Pristina
broken clouds
19° _ 19°
85%
1 km/h
Wed
28 °C
Thu
25 °C
Fri
27 °C
Sat
26 °C
Sun
19 °C

Lajmet e Fundit

Pas tragjedisë në Liqenin e Batllavës, familja e Lirim Ruhanit del me njoftim mortor
16:58 -01/07/2026
PZAP refuzon ankesat e Bekim Haxhiut, Qëndrim Kryeziut, Emilja Rexhepit dhe Listës Serbe
16:55 -01/07/2026
Mos funksionimi i Kuvendit – Kosova afër t’i humbasë 40 milionë euro të BE-së
16:53 -01/07/2026
Këta janë të arrestuarit: Skema e rëndë e mashtrimit me derivate që çoi në pranga grupin kriminal
15:46 -01/07/2026
Nëna e 26-vjeçarit të vrarë në Prizren kërkon burg të përjetshëm dhe prezencë të mediave në gjykim
15:10 -01/07/2026
Follow US
IMPRESSUM:

KOSOVA NEWS - portal i pavarur informues e hulumtues

BOTUES: KosovaNews sh.p.k. (NUI: 811928152)

Drejtor e kryeredaktor: Jeton Sopa. Gazetare: Beslinda Rexhepi.

Tel: 038 600 149, WA: +38346100004.

E: [email protected]

ADRESA: Rr. Rexhep Mala nr. 18/1 ° Prishtinë, 10060 ° RKS

MARKETING & PARAPAGIM:

Banner ° Reklamë ° Video produkcion

Parapagim: Pako 1 ° Pako 2

Shkruani në: [email protected]

LLOGARITË BANKARE:

1. TEB Bank Sh.A. (Kosovë)

Acc: Kosovanews shpk

No: 2011 0002 1188 9556

2. PaySera (EU, SEPA)

Acc: Kosovanews

No: LT273500010018388807

SWIFT: EVIULT2VXXX

Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?