Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar Gjykatën Themelore në Prishtinë, Degën në Drenas, ku ka diskutuar për sfidat dhe punën e këtij institucioni.
Gërvalla është pritur nga gjyqtari mbikëqyrës Shefqet Baleci, si dhe gjyqtarët Diellza Lukaj dhe Arbër Beqiri. Sipas saj, gjatë takimit është biseduar për performancën e degës, ngarkesën me lëndë dhe masat që po ndërmerren për rritjen e efikasitetit dhe uljen e numrit të rasteve të pazgjidhura.
Ajo ka theksuar se vonesat në drejtësi ndikojnë në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit, duke vlerësuar se reforma në drejtësi, transparenca dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë të domosdoshme për forcimin e sundimit të ligjit.
“Nuk ka Republikë të fortë pa një drejtësi të fortë dhe funksionale që e mban shtetin në këmbë”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka bërë të ditur se koordinimi i vazhdueshëm dhe rritja e efikasitetit institucional mbeten ndër prioritetet për një sistem drejtësie më funksional në shërbim të qytetarëve.
Postimi i Plotë:
Nuk ka Republikë të fortë pa drejtësi funksionale
Sot në kuadër të agjendës sime në institucione të drejtësisë, vizituam Gjykatën Themelore në Prishtinë, Degën në Drenas, me ç’rast u pritëm nga Gjyqtari Mbikëqyrës, z. Shefqet Baleci, si dhe gjyqtarët znj. Diellza Lukaj dhe z. Arbër Beqiri.
Biseduam për performancën e degës, ngarkesën me lëndë dhe masat që po ndërmerren për rritjen e efikasitetit dhe zvogëlimin e lëndëve, me bindjen se vonesat në drejtësi nuk ndikojnë pozitivisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit.
Reforma në drejtësi, bashkëpunimi ndërinstitucional, transparenca dhe koordinimi i vazhdueshëm mbeten thelbësore për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit institucional në shërbim të qytetarëve.
Sepse nuk ka Republikë të fortë pa një drejtësi të fortë dhe funksionale që e mban shtetin në këmbë.



