Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestave të fundit, duke deklaruar se përplasja është mes “Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian” dhe atyre që synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga Banjat Termale të Bënjës në Përmet, duke i paraqitur ato si dëshmi të zhvillimit të zonës dhe duke kundërshtuar pretendimet për dëmtim të zonës.
“Kjo video është bërë me pamje nga mbrëmë në Banjot Termale të Bënjës, Përmet, ku sonte do të vazhdojë një aktivitet social-kulturor i lajmëruar prej kohësh, si festë përmetare. Ky është realiteti i një destinacioni turistik, i cili dy ditët e fundit u bë shënjestër e histerisë digjitale të organizatorëve të vërtetë të protestës – ekstremistëve të dukshëm që predikojnë “plumbin tradhëtarëve”, që paguhen për të dirigjuar turmën të këndojë “burg tradhëtarëve”, që bashkë me duart e padukshme të armiqve të Shqipërisë e të kundërshtarëve të përparimit të saj, turrin me furinë e algoritmit lukunira korbash e sorrash virtuale mbi këdo që nuk e do apo e dyshon “Shqipërinë e re” të syve të tyre.
Fatmirësisht, ndryshe nga Zvërneci, ku nuk ka ende një projekt për t’ua përplasur si shuplakë të realitetit të tërë këtyre lajmësve të errësirës prej nga Shqipëria ka dalë e ku Shqipëria nuk do kthehet më kurrë, Banjot Termale të Bënjës janë një shëmbëlltyrë e Rilindjes Urbane, që i përqesh me neveri pamjet e shpërndara anembanë kanaleve sociale, ku duke vënë kujën për betonizimin e për tharjen e ujrave nga kuçedra e korrupsionit, u synua ringritja e protestës së lodhur të bulevardit me të njëjtin inxhinjerim digjital si për Zvërnecin”, shkruan Rama.
“Kemi hyrë në një epokë ku ujrat e burimeve të komunikimit e të informimit, burimet shkencore, zyrtare apo gazetareske si ato të kohës kur çdo lajm verifikohej nga dy burime, rrjedhin në të njëjtat kanale me ujrat e zeza të burimeve biologjike të urrejtjes, zilisë, mllefit, gënjeshtrës e paditurisë, të cilat kanë avantazhin e shpejtësisë marramendëse që u jep algoritmi dhe të lehtësisë me të cilën gëlltiten nga njeriu i kthyer në skllav i algoritmit.
Por ja, dy pamjet e kundërta, nga njëra anë “Bënja e shkretuar nga hajdutët e tradhëtarët”, krijesë e djallëzisë së atyre që prej gati 1 muaji duan ta bëjnë çorap Shqipërinë, duke keqpërdorur ndjenjat, hallet, ndërgjegjen e pastër të shumëkujt që ka sot një arsye për të protestuar dhe nga ana tjetër, Bënja e Rilindur nga pikërisht vizioni, puna e pasioni ynë për Shqipërinë e pakrahasueshme me kur e nisëm këtë rrugë, flasin shumë qartë për këdo që do të shikojë, të dëgjojë, të kuptojë.
Kjo është nuk është një luftë mes protestuesve dhe qeverisë, as një luftë mes organizatorëve e financuesve të këtij “revolucioni” dhe meje, po një luftë mes Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian përmes vështirësive, punës, gabimeve, korrigjimeve, rezultateve reale dhe një “Shqipërie të re” dështakësh, si korbat e sorrat e mbledhur nga të katër anët e rrugëve të jetës rreth sheshit televiziv të protestës, të cilët lëpijnë e helmojnë çdo protestues e shqiptar të ndershëm, që një hall a shqetësim i sinqertë e shtyu drejt bulevardit apo e mban lidhur akoma me protestën, përmes nevojës që ai hall të zgjidhet e ai shqetësim të adresohet ndershmërisht.
Gjithkush le të zgjedhë pasqyrën që do.
*** Dhe kush do të shohë se si sulmon errësira, ka më poshtë komentet e panumërta të profileve fallco, që i çojnë të njëjtat duar të pista”, përfundon Rama.



