Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik të 14 qershorit në Autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një qytetare, duke thënë se raporti zyrtar i Policisë së Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se shkaktar i aksidentit kanë qenë rrëshqitjet e dheut apo gjendja e rrugës.
Përmes një postimi publik, Basha shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës, duke theksuar se tragjedia ka prekur të gjithë qytetarët.
Ai kritikoi ashpër, siç tha, qarqe politike dhe mediatike që para përfundimit të hetimeve zyrtare e paraqitën rastin si pasojë të mosveprimit të Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas Bashës, raporti i Policisë konstaton se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore.
“Për dallim nga raportimet e pavërteta dhe akuzat e nxituara të disa politikanëve e mediave, raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit”, ka deklaruar ai.
Basha tha se faktet zyrtare tashmë kanë rrëzuar pretendimet dhe akuzat që, sipas tij, synonin përfitime politike nga kjo fatkeqësi.
Në fund, ai bëri thirrje që tragjedi të tilla të mos përdoren për propagandë politike apo përfitime mediatike, duke përsëritur ngushëllimet për familjen e së ndjerës.


