Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka pritur në vizitë ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolf, me të cilin ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në këtë komunë.
Gjatë vizitës, Aliu dhe ambasadori Rudolf kanë bërë homazhe në Memorialin e Reçakut, ku kanë nderuar 45 civilët e vrarë gjatë masakrës së Reçakut.
Më pas, ata kanë vizituar çerdhen e re në Godanc, ku janë pritur nga fëmijët e fshatit, si dhe klubin e volejbollit të vajzave “Vjosa”, ku janë njohur me punën dhe angazhimin e të rinjve në sport.
Vizita është përmbyllur në Parkun NRW në fshatin Davidovc, të cilin Aliu e ka cilësuar si simbol të partneritetit dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Kryetari i Shtimes ka vlerësuar rolin e Gjermanisë si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, duke theksuar se bashkëpunimi po zgjerohet edhe përmes lidhjeve me Qarkun UNNA në Gjermani.
“Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga miqtë më të mëdhenj e më besnikë të Kosovës”, ka shkruar Aliu, duke falënderuar ambasadorin Rudolf për vizitën dhe përkushtimin ndaj forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe komunave.
Postimi i Plotë:
Herzlich Willkommen, Botschafter Rudolph 🇩🇪🇽🇰
Ishte kënaqësi e veçantë që sot në Shtimen tonë të mirëpresim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolf.
Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga miqtë më të mëdhenj e më besnikë të Kosovës, dhe për këtë populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e dhënë para, gjatë dhe pas luftës.
Së bashku me ambasadorin bëmë homazhe në Memoriain e Reçakut, ku shprehëm respektin, mirënjohjen dhe nderimin më të thellë për 45 civilët e pafajshëm të vrarë në këtë masakër. Pastaj vizituam çerdhen e re në Godanc ku na pritën me ngrohtësi fëmijët e fshatit, ndërsa vazhduam te klubi i volejbollit të vajzave “Vjosa”, ku pamë nga afër punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të gjeneratave të reja. Vizitën e përmbyllëm në Parkun NRW në fshatin Davidovc, një tjetër simbol i partneritetit dhe miqësisë së ndërtuar ndër vite.
Si Komunë e Shtimes, jemi të lumtur që këtë partneritet po e shtrijmë edhe në nivel lokal, përmes bashkëpunimit me Qarkun UNNA, falë angazhimit të deputetit Hartmut Ganzke, njëkohësisht edhe qytetar nderi i komunës sonë, të cilin e falënderojmë për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj kësaj lidhjeje të veçantë.
Faleminderit Ambasador Rudolf për vizitën dhe për vëmendjen që i kushtuat komunës sonë sot. Mirëpresim që këto ura bashkëpunimi të vazhdojnë të forcohen edhe më tej.



