Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj planit të Komunës së Prishtinës për ofrimin e shërbimeve të transportit publik përmes operatorëve privatë, duke akuzuar komunën se nuk ka respektuar procedurat ligjore të parapara.
Sipas Muratit, përfshirja e operatorëve privatë në ofrimin e shërbimeve publike është e lejueshme, por duhet të realizohet në përputhje me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat.
“Ofrimi i shërbimeve publike siç është transporti publik, mund të bëhet edhe përmes operatorëve privatë siç po dëshiron ta bëjë Komuna e Prishtinës, mirëpo kjo gjë duhet të bëhet sipas procedurave që parashihen në Ligjin për Partneritet Publiko Privat, për t’u siguruar se paraja publike nuk keqpërdoret”, ka deklaruar ai.
Murati ka pretenduar se Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur procedurat e kërkuara me ligj, duke theksuar se çdo marrëveshje apo kontratë e lidhur në këtë proces është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon Ligji në fuqi, prandaj çfarëdo aranzhimi, marrëveshje apo kontrate që është nënshkruar në lidhje me këtë çështje, ajo është në shkelje të plotë të Ligjit për Partneritet Publiko Privat”, ka shtuar Murati.
Ai i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për të parandaluar, sipas tij, keqpërdorimin e mjeteve publike.
“Organet e rendit do duhej të vepronin sa më parë në lidhje me këtë rast në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i parasë publike”, ka deklaruar ministri.
Deklarata e Muratit vjen në kohën kur kryetari i Prishtina, Përparim Rama, po përballet me kritika dhe debat publik lidhur me projektin e transportit publik në kryeqytet.


