Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në Takimin Ekonomik dhe Panairin B2B – Lucernë 2026, të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, me ftesë të kryetarit të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, Visar Robelli.
Gjatë kësaj ngjarjeje, Kusari-Lila takoi ndërmarrës dhe profesionistë shqiptarë nga Zvicra, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe diaspora, me të cilët diskutoi për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, rrjetëzimit të bizneseve dhe krijimit të partneriteteve të reja që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë dhe veprojnë.
Në fjalën e saj, ministrja në detyrë theksoi rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke vlerësuar kontributin e saj të vazhdueshëm në investime, transferimin e njohurive dhe promovimin e mundësive ekonomike të vendit.
Kusari-Lila prezantoi gjithashtu potencialin e Kosovës për investime dhe zhvillim të biznesit, duke nënvizuar angazhimin e institucioneve për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investitorët vendorë dhe ata nga diaspora.
Ajo bëri të ditur se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit planifikon të investojë deri në 30 milionë euro për zhvillimin e parqeve industriale në disa komuna të vendit, përfshirë Gjilanin, Frashërin e Mitrovicës, Lipjanin, Drenasin, Podujevën dhe Shtimen, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për prodhim, investime dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Në përfundim, Kusari-Lila shprehu mirënjohje për organizatorët e ngjarjes dhe për kontributin e tyre në fuqizimin e rrjetit të bizneseve shqiptare në mbarë botën, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe diasporës për zhvillimin ekonomik të Kosovës.



