Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka zhvilluar një vizitë në Prokurorinë Themelore në Pejë, ku është pritur nga Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj.
Përmes një postimi publik, Gërvalla bëri të ditur se gjatë takimit, ku mori pjesë edhe zëvendësministri Nimoni me ekipin e Ministrisë së Drejtësisë, është diskutuar për funksionimin institucional të sistemit prokurorial, si dhe për sfidat që lidhen me garantimin e efikasitetit dhe koordinimit në trajtimin e lëndëve.
Sipas saj, në fokus të bisedimeve kanë qenë edhe reformat në sistemin e drejtësisë, përfshirë pakon prej pesë ligjeve, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe procesin e Vetingut.
Ministrja në detyrë theksoi se këto reforma përbëjnë bazën kryesore për forcimin e integritetit dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke e cilësuar atë si element thelbësor për rritjen e efikasitetit të institucioneve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit.
“Fuqia e shtetit nuk matet me fjalë, por me aftësinë për ta bërë ligjin të vlejë njësoj për secilin. Aty ku drejtësia vepron pa kompromis, Republika bëhet më e fortë, institucionet më të besueshme dhe liria e qytetarëve më e sigurt”, ka deklaruar Gërvalla.



