Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, sipas njohësve të çështjeve politike mund ta shpien vendin drejt një krize të re politike. Derisa lideri i LVV-së, Albin Kurti deklaroi se është i gatshëm për bashkëpunim me partitë politike, zëra brenda partisë së tij janë shprehur kundër idesë që Vjosa Osmani të fitojë edhe një mandat si presidente. E sipas liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, emri i saj është pikënisje për bisedimet e ardhshme. Ndërkohë në PDK kanë thënë se nuk kanë vija të kuqe
Deklarata e liderit të LDK-së Lumir Abdixhiku, në natën e zgjedhjeve ku kjo parti ka përfunduar e treta, se pikënisje për bisedimet e ardhshme do të jetë emri i Vjosa Osmanit për presidente, e po ashtu edhe deklarata e saj se “tash Kurti s’ka arsye ta refuzojë” emrin e saj për presidente, kanë nxitur reagime të mëdha mes partive, por edhe në publik.
Megjithëse kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk e ka përmendur këtë çështje në fjalimin e fitores, të dielën mbrëma, të paktën dy kandidate të kësaj partie për deputete, të hënën, kanë thënë se nëse e fitojnë mandatin, nuk do ta votojnë në asnjë mënyrë Osmanin për presidente.
“Meqë po vazhdon të insistosh përkundër rezultatit, unë dua ta bëjë të qartë qëndrimin tim. Edhe nëse emri yt vjen për votim, nuk do ta kesh mbështetjen time në rast se do të jem prapë deputete në Kuvend”, ka thënë kandidatja për deputete nga LVV-ja, Arbresha Kryeziu.
Ajo ishte deputete në legjislaturën e kaluar, sikurse edhe Adriana Matoshi, që njëjtë është shprehur kundër Osmanit.
“Kqyre pashë ni Zot, del e treta, hup me temel, edhe hala pa u kry numërimet paska dal t’u na thonë që ‘duhet patjetër unë presidente’. Qyqja unë po n’zor kokshe. Meqenëse je kaq në zor, qe po e boj publike. Nëse bohna deputete, unë publikisht deklaroj që NUK të votoj ty presidente. A e ki ma t’lehtë tash?”, ka shkruar Matoshi.
E pas këtyre dhe reagimeve të tjerave në rrjetet sociale, Osmani ka dalë më një postim, ku ka thënë se nuk do të bëhet pengesë e asnjë procesi.
“Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin”, ka shkruar ajo.
Osmani ishte bartëse e listës së LDK-së dhe gjatë gjithë fushatës është prezantuar si kandidate e këtij subjekti politik për presidente, ndonëse zgjedhjet ishin për Kuvend. I dyti në listë ishte kryetari i LDK-së, Abdixhiku, kandidat për kryeministër.
Kjo listë, bazuar në rezultatet preliminare doli e treta me 17.58 për qind, ndërsa VV-ja e para me 42.91 për qind.
Analisti politik, Afrim Kasolli, ka thënë se fjalimet e së dielës të Kurtit dhe Abdixhikut tregojnë se pak ka gjasa që të ketë një pajtim mes dy partive për çështjen e presidentit.
“Kryeministri sikur la të kuptohet se ai është i kënaqur me pozitën aktuale që e ka ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe me veten që është kryeministër dhe kabinetin dhe duke e zhvendosur topin tek opozita që sipas të cilit nëse është dikush që nuk është në punë janë përfaqësuesit e partive politike opozitare e jo pushteti. Përjashto që nuk ka përdorur një gjuhë më brutale sikur në shkurt të vitit të kaluar mesazhet politike i kishte të njëjta”, ka thënë Kasolli.
Ndërkohë, të hënën, një konferencë për media ka mbajtur kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza. Ai ka thënë se për krijimin e institucioneve duhet të ketë një marrëveshje politike qysh tani.
“Asnjëherë gjatë rrugëtimit tim politik nuk kam vendosur vija të kuqe, nuk kam vendosur as në këto zgjedhje dhe besoj që nuk është e mirë që të kemi vija të kuqe, jemi gjithmonë të hapur për biseda, e kam dhënë preferencën time se më e shëndetshme për vendin është krijimi i qeverisë prej partive që kemi qenë në opozitë, por kjo varet prej numrave, por megjithatë nuk kam qenë përjashtues”, është shprehur Hamza.
Vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme pas dështimit të zgjedhjes së presidentit brenda afatit kushtetues nga Kuvendi.
Pas konstituimit, nëse sërish Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, vendi sërish do të shkojë në zgjedhje të reja, që do të ishin të 4-tat parlamentare për një periudhë më pak se dy vjet.


