Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit është drejt përfundimit, me vetëm 14 kuti votimi të mbetura pa u përpunuar. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri tani janë numëruar 2.484 nga gjithsej 2.498 kuti votimi, që përbën 99.44 për qind të procesit.
Bazuar në rezultatet aktuale preliminare, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me 297.363 vota ose 42.91 për qind të votave të numëruara. Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 146.108 vota, përkatësisht 21.08 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar deri më tani 121.987 vota ose 17.60 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 49.712 vota, që përkthehen në 7.17 për qind.

Me përmbylljen e numërimit të kutive të mbetura të votimit, pritet që procesi të vazhdojë në Qendrat Komunale të Numërimit, ku do të trajtohen fazat e tjera të numërimit dhe verifikimit të votave.


