Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Kosova është renditur e para në rajon në luftën kundër korrupsionit, sipas raportit të publikuar në muajin shkurt nga Konrad-Adenauer-Stiftung.
Përmes një postimi publik, ajo tha se ky vlerësim dëshmon përparimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e transparencës, rritjen e llogaridhënies dhe konsolidimin e sundimit të ligjit.
Sipas saj, institucionet kanë avancuar edhe në forcimin e administratës publike, duke e orientuar atë drejt shërbimit ndaj qytetarëve dhe interesit publik, e jo interesave të ngushta private apo grupore.
“Lufta kundër korrupsionit është pjesë e pandashme e agjendës sonë shtetërore, çdo ditë dhe në çdo nivel të qeverisjes”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo theksoi se Qeveria do të vazhdojë forcimin e mekanizmave për parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin e praktikave abuzive, duke shtuar se “askush nuk guxon të jetë mbi ligjin në Republikën e Kosovës”.
POSTIMI I PLOTË:
Kosova renditet e para në rajon në luftën kundër korrupsionit, sipas raportit të Konrad-Adenauer-Stiftung, i publikuar së fundmi në shkurt të këtij viti.
Ky vlerësim konfirmon përparimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e mekanizmave të transparencës, rritjen e llogaridhënies e konsolidimin e sundimit të ligjit, si dhe forcimin e administratës publike që i shërben qytetarit dhe interesit publik, e jo interesave të ngushta private apo grupore.
Lufta kundër korrupsionit është pjesë e pandashme e agjendës sonë shtetërore, çdo ditë dhe në çdo nivel të qeverisjes, përmes forcimit të mekanizmave të parandalimit, hetimit dhe ndëshkimit të çdo praktike abuzive, me parimin se askush nuk guxon të jetë mbi ligjin në Republikën e Kosovës.



