Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani ka reaguar ashpër ndaj Klan Kosova, duke e akuzuar për promovim të gjuhës së urrejtjes dhe narrativave përçarëse ndaj mërgatës shqiptare.
Në reagimin publik, kjo degë e VV-së thekson se nuk është hera e parë që në këtë medium ftohen mysafirë të cilët, sipas tyre, përhapin paragjykime dhe nxisin përçmim ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit. Sipas deklaratës, mërgata shpesh paraqitet në mënyrë denigruese, si “e prapambetur, e paemancipuar apo e manipuluar politikisht”, qasje kjo që cilësohet e papranueshme dhe fyese.
“Qindra mijëra qytetarë që kontribuojnë çdo ditë për Kosovën nuk meritojnë një trajtim të tillë,” thuhet në reagim, duke rikujtuar rolin e rëndësishëm të diasporës në zhvillimin ekonomik, social dhe kombëtar të vendit.
Tutje, theksohet se çdo përpjekje për të përçarë apo denigruar mërgatën duhet të marrë përgjigjen e duhur nga shoqëria dhe institucionet. Qendra e VV-së në Gjermani u bën thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës, mediave dhe opinionit publik që të distancohen nga gjuha përçarëse dhe të kontribuojnë në ruajtjen e unitetit.
Në fund, kërkohet debat i përgjegjshëm, respektim i etikës mediale dhe trajtim dinjitoz për mërgatën shqiptare.


