Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe përpjekjet për tejkalimin e ngërçit në zgjedhjen e presidentit.
Përmes një deklarimi publik, Nagavci ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm duke hequr dorë nga pozita e presidentit, me qëllim të arritjes së një konsensusi më të gjerë politik.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! dje e bëri edhe një hap tutje për të mundësuar tejkalimin e ngërçit në zgjidhjen e presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë dhe duke ftuar dy partitë më të mëdha opozitare që të vijnë me 3 propozime të kandidaturave unifikuese jashtë skenës politike, me integritet e kontribut të dëshmuar,” ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se, pavarësisht deklaratave publike nga partitë opozitare, deri më tani nuk ka pasur asnjë propozim zyrtar konkret nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Sipas saj, përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues,” thuhet në reagim.
Nagavci ka bërë të ditur se, për shkak të rëndësisë së situatës dhe afateve kohore, pret që propozimet konkrete të dorëzohen sa më shpejt, duke përfshirë edhe gjatë mbrëmjes së sotme.
“Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton,” ka theksuar ajo.
Deklarata e Nagavcit vjen në një moment vendimtar për zhvillimet politike në vend, teksa kërkohet një zgjidhje e shpejtë dhe konsensuale për zgjedhjen e presidentit dhe funksionalizimin e institucioneve.


